Ndoshta ishte formati panoramik i televizorit, o ndoshta ishte sfondi i përmbytur nga ujërat, që bënte që, imazhet e grupit të figurave tona më të larta shtetërore në vizitë në zonat e përmbytura, të dukeshin, në mos të deformuara, të paktën, paraqiteshin si shumë më të shkurtër se ç’janë në të vërtetë.Nuk ishte pesha e baltës në çizmet e veshura në këtë rast që i bënte hapat e tyre më të rëndë… një peshë tjetër akoma më e rëndë në shpatullat e tyre, për të mos thënë (duke perifrazuar vetë kryeministrin) “një shpatë e Demokleut ju qëndronte mbi koka”. Këmbët e harkuara të kryeministrit, më shumë se të më sillnin natyrshëm karakteristikën e njerëzve të fortë të maleve, më bënë që ta imagjinoja si një kauboj të sapo zbritur nga kali pas një udhëtimi të gjatë… pas një udhëtimi në të cilin, qoftë për guxim, kryeneçësi, krenari e vendosmëri, asnjëherë nuk ju shmang dueleve dhe sfidave me këdo prej pistolerëve që historia i kish vënë përpara në udhën e tij. Për herë të parë pashë tek ai shenjat njerëzore… nuk ishte më perëndia që, në çdo fjalë e në çdo situatë, të ishte gjithmonë një burim i pashtershëm optimizmi, përkundrazi.
Në fytyrën e tij, sinqeriteti, ndoshta prej “shpatës që kishte mbi kokë”, e bënte të fliste me zemër në dorë: “Jemi pranë një gjendje katastrofike”.
Më shumë se kauboji guximtar, dukej si një fëmijë që, pasi kishte ideuar e krijuar një lodër mjaft të rëndësishme për jetën e tij, të shihte se lodra e tij rrezikohej të zhbëhej.
Zoti Kryeministër më në fund, të paktën shpresoj, e kishte kuptuar që loja ka rregullat e veta dhe nuk mund të shpresohet që të fitohet vetëm me shansin e diletantëve.
Po, Zoti Kryeministër, që një lojë të jetë vërtet e bukur, duhet të ketë edhe rregullat e saj dhe më tepër se rregullat, edhe serioziteti e profesionalizmi me të cilin duhet të luhet loja.
Nuk shkruaj për të gjykuar apo kërkuar fajtorë për këtë situatë dramatike në të cilin ndodhet një pjesë e vendit, por më tepër për të thënë që, më në fund, pas këtij pësimi, të bëheni më koshientë që duhet t’i jepni shumë më tepër rëndësi lojës.
Nuk dua të bëj moral duke filluar që nga respekti sportiv ndaj kundërshtarit, por ama, nuk mund të rri pa theksuar nevojën e seriozitetit dhe profesionalizimit të skuadrës.
Është për tu përgëzuar iniciativa juaj për krijimin e grupit të emergjencës… një grup vërtet i një niveli shumë të lartë, por që niveli i lartë i tij arrihej vetëm nga poltronat që përbërësit e tij zënë në ministritë e ndryshme, por jo nga specialistë të mirëfilltë në fushat ku duhet të veprojë grupi.
Mund t’ju përgëzoj dhe për vizionin tuaj largpamës për krijimin e parqeve energjetikë, duke filluar që nga shfrytëzimi i erës dhe diellit pa lënë pas dore dhe qymyrin apo bërthamoren, por, dhe i kthehem edhe një herë domosdoshmërisë së profesionalizmit për të luajtur një lojë të suksesshme, duke patur parasysh dhe zërin e ngritur me forcë herë pas here nga faqet e kësaj gazete në artikujt e saj të Edlira Gjonit: Do kemi nevojë, më shumë se për juristë dhe ekonomistë, për figura të kualifikuara teknikisht; që të mos ngelemi në mëshirë të Zotit si herën e fundit, veproni, nëse kini Zot, edhe në drejtim të arsimimit profesional… është loja juaj zoti Kryeministër, bëjeni që të jetë e bukur. Mos lini gjithçka keni bërë deri më tani në dorë të diletantëve dhe të shpresës në shansin e mirë. Bëjeni të tillë që rezultatet e saj t’u japin kënaqësi si lojtarëve protagonistë, por edhe neve tifozëve të pafajshëm që shpeshherë kemi qenë të detyruar të ndjekim spektakle aspak të denjë.
Lojë të mbarë zoti Kryeministër!
http://www.tiranaobserver.com.al/index.php?option=com_content&view=article&id=1724:me-uje-deri-ne-fyt&catid=40:forum&Itemid=72
