Mixha Adem hyri duke u kollitur në dhomën e ngrohtë. Në oxhakun e ndezur që herët, tashmë ishte zjerë dhe qumështi i mjelë që pa gëdhirë.
U ul në vëndin e tij dhe, ashtu si çdo ditë prej shumë vitesh, hodhi vështrimin përtej xhamit të dritares e dha sentencën e tij për motin:”Do kena dimër t’egër kët vit!”.
Ajo (e kush ja mbante mënd emrin…), ashtu si përditë, që akoma pa zbritur ai, kishte vendosur xhezven dyshe pranë zjarrit.
-Shyqyr zotit, kët vit kena mledh ushqim për gjànë e për vedi dhe n’mujsha, për vit t’ri zbres n’qytet e i shes edhe nja pesë kingja dhe do calikë djathi, u dëgjua zëri i të nipit.
Papritur, si rrufe në një qiell të hapur, qetësia dhe monotonia e përhershme e kësaj jete familjare, të organizuar brënda mureve të asaj kulle në atë majë mali, do të ndërpritej nga fjalët që u dëgjuan papritur:
-M’ngjes Ujkan!
Asaj, ky zë i largët në fund të oborrit, ja drodhi leqet e këmbëve, gjë që u duk mjaft qartë në dridhjen e duarve që për pak bënë të derdhej ajka e kafesë që në atë moment po merrte valën e fundit.
Dy burrat, xhaxha e nip, për një çast panë njëritjetrin në sy… nuk e prisnin një vizitë të tillë.
Ibrahimi kishte kohë që pothuajse nuk shkelte më në kullën në mal. Kjo kohë e kish fillimin që atëherë kur mixha Adem ishte ngjitur në shpat, në stanin e tyre, dhe ndër dy vëllezërit zgjodhi atë për ta çuar në shkollë.
Sa ishte në shkollë të mesme, në pushimet verore ishte i detyruar që të kthehej në fshat, ku mes habisë së të gjithëve, përpiqej të fliste ndrysh dhe kërkonte që të mos i thërrisnin Brahim, por Braho.
Gjatë viteve të universitetit, vetëm dy herë pati ardhur në fshat… edhe ato herë fliste akoma më ndryshe, por këtë herë pretendonte që ta thërrisnin Braçe.
Pothuajse kishte rënë në harresë, sepse akoma pa mbaruar studimet për të cilat mixha Adem dhe i vëllai ishin bërë copë për t’ja paguar, kishte marrë rrugën e ambasadave dhe kishte ndjekur fatin e tij deri në Amerikën e largët.
Mixha Adem, për të qënë korrekt me familjen e Asaj, atë gjysëm premtimi që Brahimi i pati dhënë se një ditë do të martoheshin bashkë, vajti dhe e kërkoi për grua për nipin tjetër…
—
Për burrat surpriza nuk ishte pranija e Braçes në oborr… Atyre ju dukej e pabesueshme që ai të përshëndeste në emër qenin që ata kishin groposur vetëm disa ditë më parë, qen që, Braçja as që duhet t’ja kishte idenë se egzistonte e jo më që t’ja dinte edhe emrin.
Si të lëshuar me sustë të dy burrat brofën në këmbë dhe dolën te dera për të pritur njeriun që qe kujtuar t’ja u shikonte derën. Pasi asistuan dhe në spektaklin me të rrokullisura mbi dëborën e oborrit dhe puthjeve dhe përqafimeve të mallosura, hynë në dhomën e ngrohtë dhe vazhduan të ndiqnin monologun e Braçes që s’dinte të pushonte… që nga vështirësitë e jetës së kurbetit, deri tek efektet e krizës ndërkombëtare tek kursimet e tija të pakta që pakashumë reduktoheshin tek çmimi i biletës së avionit vajtjeardhje.
Dikur, duke përfituar nga një moment heshtjeje, i vëllai ju drejtua Braçes:
- Allahile Brahim, ma thuej diçka drejt! Si dreqin i fole Ujkanit, kur qeni ka ngordhë dhe e kena futë me duart tona n’dhe ka tash sa dit?
Hahahahaaaa, kumboi e qeshura me të madhe e Brahimit…
-No men! A t’kujtohet kur ishim fëmijë e mixha Adem pati thyer këmbën, kur na tha se a mund të shkonim në shpat për të zbritur bagtinë dhe ne ju përgjigjëm: Po, munena…. edhe tash në Amerikë, presidenti i ri Obama thotë Jes Ui kan dhe jo mirmëngjes Ujkan.
-Pash nerën Brahim, mos m’thuej qi tani nuk të thrrasin as Brahim, as Braho e as Braçe por t’thrrasin Obama…
- Oh, no men! Tani në Amerikë më thrrasin Brando… megjithse ideja jote nuk po m’duket e keqe… presidenti Obama ësht emigrant si puna ime.
-E kam dëgjue pak si shpesh kto kohët e fundit ktë presidentin tan që thotë: No dream!
- NOooo Men! duket qi s’din gjuhë t’huja… Ai nuk thotë no dream, ai thotë NO DRAMA!
Ndërkohë, mixha Adem thithte fort cigaren e dredhur trashë, sikur me tymin e duhanit të zi të kërkonte të mbushte mushkëritë për të mos jetuar këtë dramë… dramë të cilën e konsideronte tragjedi, që erdhi bashkë me Brahimin, për të prishur ëndërrën ndoshta jo aq të bukur sa ajo amerikane, por që mbetej e pastër… pa tragjedi të tipit Braçe….

Sa kollaj që