Në vazhdën e objektivit të vetëm që e bën të votohet akoma: “Futjen e Shqipërisë në BE”, qeveria shqiptare, kohët e fundit, përgatiti një spektakël madhështor. Spektakël që do të përmbyste Shqipërinë, jo nga ujërat e Drinit, por nga një lumë më madhështor komplimentesh dhe ftesash, nga të huajt, për ta detyruar atë që të hynte në Europë. Fatkeqësisht, ky projekt madhështor, për shkak të pozicionit të keq që ka Marsi me Jupiterin mbi Hënën, për pak dështoi më keq se projekti i Rrugës së Kombit.
Në fakt, më shumë se “të dukej në sytë e botës”, qeveria këtë projekt e nisi me qëllimin e mirë që, paratë e mbledhura nga ky spektakël, të shkonin në ndihmë të të përmbyturve. Për këtë arsye, dmth për të mos harxhuar paranë e shqiptarëve më kot, ndryshe nga herët e tjera ku ajo nuk është kursyer në mitingjet e saja, kësaj here ajo shtrëngoi dorën (kjo shihet edhe nga fondi “qesharak” prej 2.5 milion eurosh që kishin paguar për organizimin e tij).
Nën regjinë e korifeut, të Padiskutueshmit, të Pazëvëndësueshmit e të Shpëtimtarit (që, për të mos ngrënë vënd në artikull, mund t’i kisha rënë shkurt me shkurtimin PPSH, por kësaj here e lashë të plotë që të mos ngatërrohej padashje me punistomafjozët e së shkuarës, të së tashmes apo aq më keq të së ardhmes), me këtë spektakël, ylli i Shqipërisë do të shkëlqente më shumë e Europë duke eklipsuar yjet futbollistike të Europës.Por, nëse deri këtu mund të arrinin ta bënin edhe socialistët një arsyetim të tillë, gjenialiteti i PPSH (shih spiegimin më sipër) qëndron pikërisht tek truku që kishte programuar për t’ia arritur qëllimit.
Që Ylli i Shqipërisë të shkëlqente më tepër, duhej që të shkëlqente mbi “yje” në maksimumin e shkëlqimit të tyre… e ku mund të shkëlqenin më mirë këto yje se në errësirë?!
Kjo ishte veza e Kolombit tonë të PPSH. Ai pati programuar, në çastin e fundit (se e di që “fansat” e tij janë allergjikë ndaj planeve afatgjata, sidomos atyre pesëvjeçarë), që në pushimin pas pjesës së parë të fikeshin dritat dhe të lihej stadiumi në errësirë. Por si gjithmonë, gjenialiteti i kokave të mëdha si PPSH jonë, është vështirë që të kuptohet që në fillim. Aq e papritur qe marrja dhe zbatimi i këtij vendimi , saqë një zëdhënës i Ministrisë së Energjisë, që nuk ishte në dijeni të kësaj strategjie kaq të hollë, në deklaratën e tij të menjëhershme për mediat tha se: “dritat u fikën me Vendim të Qeverisë për të kursyer energjinë që blihet me paret e popullit nga importi”.
Përveç pozicionit të pavolitshëm të Marsit dhe Jupiterit, ishte edhe pozicioni i keq që kishte marrë dielli duke vajtur në anën tjetër të globit (megjithse në dukje mungesa e Diellit dukej se favorizonte errësirën)… apo ndoshta ishte ndonjë lëkundje tjetër sizmike në Haiti që bëri që… në çastin kur dritat duhet të ndizeshin, të mos funksiononte kontaktori kryesor.
Sipas elektriçistit që kishte projektuar impiantin (i intervistuar menjëherë nga mediat keqdashëse antigovernative), ai kishte kohë që paralajmëronte për rrezikun që kontaktori i pagrasatuar prej 18 vjetësh mund të mos funksiononte dhe të ngelej i bllokuar.
Sipas zëdhënëses së PS, shkaku kryesor i mosfunksionimit të çelësit kryesor ishin shtresat e pafund të bojës blu me të cilat çdo gjashtë muaj lyhet stadiumi.
Sipas gojëve të liga nga Oblika, qeveria e derdhi ujin e liqeneve që t’i përmbyste që të lironin tokat për të ndërtuar çentralin e ri bërthamor, sepse po të kishin ujë liqenet nuk do të mungonin dritat në stadium.
Në të vërtetë, dhe këtu ta themi e këtu ta lemë, asnjë nga hipotezat e lartpërmëndura (përfshi edhe ato me mace e minj) nuk janë të vërteta.
E vërteta është një dhe e vetme, por që, megjithë aktin heroik të treguar prej drejtorit të stadiumit, nuk mund të mos sakrifikohej prej PPSH në një moment delikat si ky.
Si ishte puna?
Duke ditur rëndësinë historike të një spektakli të tillë, duke parë përkushtimin e vetë PPSH, drejtori i stadiumit, për të mënjanuar ndonjë akt sabotimi prej armiqve të brendshëm e të jashtëm (kryesisht të brendshëm, punistomafjozë, se të jashtëmve nuk ja u mban nga NATO), ishte blinduar vetë në sallën e gjeneratorit të stadiumit që ta ruante.
Pasi mori SMS nga vetë PPSH, ai pa e bërë të gjatë ju bind urdhërit (urdhërat zbatohen, nuk diskutohen) dhe fiku dritat…
Ku ta dinte ai i shkreti se PPSh është i rrethuar nga njerëz që nuk e kuptojnë dhe që si gjithmonë alarmohen sapo ndodh ndonjë gjë me dritat?
Ku ta dinte ai se zërat që dëgjonte në koridoret e nëndheshme të stadiumit ishin zërat e ministrave që po zbrisnin vetë tek kutia e dritave?
Si ushtar i bindur, pa e kuptuar se të kujt ishin zërat, por pasi dëgjoi fjalët e urryera: “Të hapet kutija” të njerëzve që qenë ndaluar përpara derës, i shkreti, duke menduar se socialistët kishin shfrytëzuar spektaklin e PPSH për të ngritur tifozët në këmbë me historinë e tyre të kutive, pa e bërë të gjatë i vuri flakën gjeneratorit… “Sa t’jem gjallë nuk lejoj që stadiumi im të përdoret si mjet propogande”, thuhet se kanë qënë fjalët e tij të fundit ndërkohë që doktorë të veshur si policë e kanë shoqëruar në një vënd të paditur…
