qeveria

Jeni duke shfletuar arkivin për kategorinë qeveria.

Me ujë deri në fyt!

Ndoshta ishte formati panoramik i televizorit, o ndoshta ishte sfondi i përmbytur nga ujërat, që bënte që, imazhet e grupit të figurave tona më të larta shtetërore në vizitë në zonat e përmbytura, të dukeshin, në mos të deformuara, të paktën, paraqiteshin si shumë më të shkurtër se ç’janë në të vërtetë.Nuk ishte pesha e baltës në çizmet e veshura në këtë rast që i bënte hapat e tyre më të rëndë… një peshë tjetër akoma më e rëndë në shpatullat e tyre, për të mos thënë (duke perifrazuar vetë kryeministrin) “një shpatë e Demokleut ju qëndronte mbi koka”. Këmbët e harkuara të kryeministrit, më shumë se të më sillnin natyrshëm karakteristikën e njerëzve të fortë të maleve, më bënë që ta imagjinoja si një kauboj të sapo zbritur nga kali pas një udhëtimi të gjatë… pas një udhëtimi në të cilin, qoftë për guxim, kryeneçësi, krenari e vendosmëri, asnjëherë nuk ju shmang dueleve dhe sfidave me këdo prej pistolerëve që historia i kish vënë përpara në udhën e tij. Për herë të parë pashë tek ai shenjat njerëzore… nuk ishte më perëndia që, në çdo fjalë e në çdo situatë, të ishte gjithmonë një burim i pashtershëm optimizmi, përkundrazi.
Në fytyrën e tij, sinqeriteti, ndoshta prej “shpatës që kishte mbi kokë”, e bënte të fliste me zemër në dorë: “Jemi pranë një gjendje katastrofike”.
Më shumë se kauboji guximtar, dukej si një fëmijë që, pasi kishte ideuar e krijuar një lodër mjaft të rëndësishme për jetën e tij, të shihte se lodra e tij rrezikohej të zhbëhej.
Zoti Kryeministër më në fund, të paktën shpresoj, e kishte kuptuar që loja ka rregullat e veta dhe nuk mund të shpresohet që të fitohet vetëm me shansin e diletantëve.
Po, Zoti Kryeministër, që një lojë të jetë vërtet e bukur, duhet të ketë edhe rregullat e saj dhe më tepër se rregullat, edhe serioziteti e profesionalizmi me të cilin duhet të luhet loja.
Nuk shkruaj për të gjykuar apo kërkuar fajtorë për këtë situatë dramatike në të cilin ndodhet një pjesë e vendit, por më tepër për të thënë që, më në fund, pas këtij pësimi, të bëheni më koshientë që duhet t’i jepni shumë më tepër rëndësi lojës.
Nuk dua të bëj moral duke filluar që nga respekti sportiv ndaj kundërshtarit, por ama, nuk mund të rri pa theksuar nevojën e seriozitetit dhe profesionalizimit të skuadrës.
Është për tu përgëzuar iniciativa juaj për krijimin e grupit të emergjencës… një grup vërtet i një niveli shumë të lartë, por që niveli i lartë i tij arrihej vetëm nga poltronat që përbërësit e tij zënë në ministritë e ndryshme, por jo nga specialistë të mirëfilltë në fushat ku duhet të veprojë grupi.
Mund t’ju përgëzoj dhe për vizionin tuaj largpamës për krijimin e parqeve energjetikë, duke filluar që nga shfrytëzimi i erës dhe diellit pa lënë pas dore dhe qymyrin apo bërthamoren, por, dhe i kthehem edhe një herë domosdoshmërisë së profesionalizmit për të luajtur një lojë të suksesshme, duke patur parasysh dhe zërin e ngritur me forcë herë pas here nga faqet e kësaj gazete në artikujt e saj të Edlira Gjonit: Do kemi nevojë, më shumë se për juristë dhe ekonomistë, për figura të kualifikuara teknikisht; që të mos ngelemi në mëshirë të Zotit si herën e fundit, veproni, nëse kini Zot, edhe në drejtim të arsimimit profesional… është loja juaj zoti Kryeministër, bëjeni që të jetë e bukur. Mos lini gjithçka keni bërë deri më tani në dorë të diletantëve dhe të shpresës në shansin e mirë. Bëjeni të tillë që rezultatet e saj t’u japin kënaqësi si lojtarëve protagonistë, por edhe neve tifozëve të pafajshëm që shpeshherë kemi qenë të detyruar të ndjekim spektakle aspak të denjë.
Lojë të mbarë zoti Kryeministër!

http://www.tiranaobserver.com.al/index.php?option=com_content&view=article&id=1724:me-uje-deri-ne-fyt&catid=40:forum&Itemid=72

Etiketa: ,

Propozim “i pahijshëm”

Vërtet që politika nuk mund të reduktohet në një karikaturë groteske që dëmton prestigjin e institucioneve, por kur politika vetë është burim i përditshëm i shembujve të shëmtuar se si nuk duhet të bënte e vepronte, atëherë gjithkush ndjen të drejtën të thotë atë që mendon ashtu si i vjen më mbarë.
Natyrisht që, cilido prej nesh do ta kishte shumë të vështirë që t’i afrohej ekstremizmit verbal, aq më tepër nivelit të ulët të argumentave të përdorur në “betejat” e politikës dhe politikanëve tanë, por kur idetë na vijnë nga politikanët e tjerë të përtejdetit, atëherë propozimet e tyre nuk ka pse të mos i bëjmë tonat.
Në atmosferën shqiptare, ku tifozeritë politike ndjekin moton e pacënueshme:” O me ne, o kundra nesh”, propozimi i fundit do të tingëllonte fantastik… së pari do të deklamonin emrin e kundërshtarit numër një, kryetarit të partisë kundërshtare, por me kalimin e kohës do të fillonin të vrisnin mendjen dhe … do shikonin se, edhe për krahun e tyre politik, pakkush do të shpëtonte pa u kandiduar në një propozim të tillë e pastaj do të fillonin ta konsideronin propozimin si një sulm të ulët ndaj institucioneve dhe figurave kryesore të politikës.
Përse bëhet fjalë?
Eurodeputeti italian, ish-gjykatësi Luigi De Magistris (Luixhi De Maxhistris), në blogun e tij, shkruan një mesazh të tillë nën fotografinë e Berluskonit, ku propozonte: “Një fluturim zyrtar duke e shoqëruar dhe me Apiçellën e fundja edhe me ndonjë zonjushë simpatike. Destinacioni? Këshillojmë ishujt Kajman. Nëse mërzitet, ndonjë kalë bashkë me stallierin e besuar do ta gjejë edhe atje. Gazetat dhe TV-të do rifillojnë të bëjnë zanatin e tyre: të informojnë rreth fakteve. Parlamenti do të kthehej në rrjedhën e tij natyrore, sepse i devijuar sot nga agjenda e tij gjyqësore që sot dikton temat, që tashmë është tema e institucioneve. Gjyqësori duke mos qenë më nën sulmet e përditshme mund t’i dedikohet pa frikë misionit të tij dhe mafiet nuk do të ndiheshin padronë që mund të veprojnë të pashqetësuar. Për kasat e shtetit fitimi do të ishte i lartë, për të mos folur për ato të etikës publike. Mbi të gjitha nuk do të dëgjojmë më mantrën e tij që ushton si në takimet ndërkombëtare por edhe në ato private, që thotë se komunistët, flamujtë e kuq, prangat e tyre të çmendura që vërsulen kundër një njeriu të vetëm”.
«Pjesa kryesore e propozimit - vazhdon eurodeputeti - është kjo: i garantojmë Berluskonit mundësinë që të lërë Italinë pa patur pasoja. Nuk ka as truk dhe as mashtrim: vetëm nevoja për tu rikthyer një vend demokratik e civil”.Mund ta marrim si diçka serioze ose si një batutë humoristike në kufijtë e sarkazmës, por, duke bërë analogji me bezdinë që krijojnë figura të ndryshme të politikës shqiptare, nuk do të ishte krejt e pakuptimtë që të zëvendësohej emri i Berluskonit me emrin e politikanit tonë të “preferuar” dhe… ta nisnim atë ashtu siç propozon eurodeputeti italian: sa më larg!

deklarata-e-partise.jpg

Sala, ashtu si Skënderbeu, u rrit me Hoxhën dhe në pleqëri ngeli në dorë të Priftit…sala-si-skonderbeu.jpg

Etiketa: , , ,

Dita e parë në shtëpi pas rikthimit nga Tirana.
Hap dritaret dhe ajri i freskët i mëngjesit më mbush mushkritë… njëlloj si çdo ditë, ato 20 ditë që kalova në Tiranë, por e di që ky mëngjes është i freskët vetëm nga shiu që ka rënë gjatë mbrëmjes… sepse sërish, në ditët që do vijnë do të zgjohemi me ajrin e rënduar nga pluhurat dhe smogu (dhe më vjen të qesh me atë që quanin pluhur në Tiranë :) ).

Jam koshient që “syri” im nuk mund të ketë parë gjithçka me objektivitet…
…sepse nuk mund të ketë objektivitet dhe shikim të realitetit ashtu siç duhet kur, pa u menduar gjatë, ndalon taksinë në ç’do cep te Tiranës dhe të të mos bëjë përshtypje që paguan 500 lek për 4-5km ndërkohë që për prindërit e tu hynte në llogarinë e shpenzimeve edhe 30 lekshi i urbanit.
… sepse nuk mund të ketë objektivitet kur, duke patur parasysh çmimet me të cilat ha në Itali, nuk të bën përshtypje të paguash 1000-1500 lek për njeri në dreka dhe darka të ndryshme… ndërkohë që shikoje që prindërit e tu vlerësonin e kërkonin të menaxhonin edhe monedhat… Lexo më tej »

Politika është përplasje slloganesh apo mund të shpresojmë që një ditë ajo dhe politikanët të gjejnë një pikë takimi në ato vlera që, pamvarësisht lartësisë e gjerësisë gjeografike, njihen me  emrin ndershmëri.

Një doktor apo një zjarrfikës, do t’i shikoje të flisnin të alarmuar përballë një gjëndje alarmante … ashtu siç mund të jetë alarmante gjëndja e korrupsionit kur kjo ngrihet si problem për zgjidhje nga kreu i qeverisë.

Nuk jam në gjëndje të flas për gjëndjen e administratës shqiptare apo të fruteve të politikës antikorrupsion të kryeministrit tonë, por di që,  personazhi i vitit, presidenti tek i cili gjithë bota e shikon si faktor ndryshimi, me limite dhe kushte mjaft të thjeshta arriti që të japë fryte në qëllimin e tij për të mbajtur të pastërt Shtëpinë e Bardhë.

Përveç Bllagos, që pa shumë temena u largua nga skena politike amerikane, këto ditë ministri i tretë i sapoemruar i Obamës u detyrua të lërë postin për arsye fiskale… E kam fjalën për ish senatorin demokratik Tom Daschle që nuk mund të pranonte portofolin e Ministrit të Shëndetësisë… arsyeja?  120 mijë dollarë taksa të papaguara .
Për të njëjtat arsye, ashtu si ato të governatorit të New Mexicos Bill Richardson edhe përgjegjësja e skuadrës së Obamës, Nancy Killifer, që do të kontrollonte buxhetin federal që të mos kish shpërdorime… evitoi problemet e mëvonëshme me një letër me justifikime drejtuar Obamës.
Në mes të diskutimeve edhe  governatori i  Federal Reserve i New Yorkut, Geithner, i konfermuar si sekretar i Thesarit në Senat, i cili u “dogj” sepse nuk kishte paguar 34.000 dollarë taksa përsa i përket asistencës shëndetësore dhe kontributit të pensionit për vitet që kishte punuar në FMN, që edhe pse u konfermua me 60 vota nga senati, qe numri i lartë i votave kundër (34) që e bënë që të mos pretendonte më për një vënd në qeveri .

Të jenë bërë më të ndërgjegjshëm politikanët amerikanë?

Apo mjafton që të vihen kushte të rrepta ndaj atyre që shkelin ligjin … gjë që i bën edhe më dallkaukët të bëhen të ndjeshëm ndaj rrezikut që i pret po të shkelin PREMTIMET e atij që do me të vërtetë ta luftojë Korrupsionin?

« Postimet më të vjetra