Arkivi per kategorine ‘Personale’
Kujtimet
Si gjethet e ngjitura në xhamin e lagur
Si flutura që tek llampa bëjnë rrethrrotullime
Ikën koha, bashkë me të duke u mpakur
dhe ato ç’ka të shtrenjta ruaje, kujtime.
Prej gjethes, më asgjë s’të kujtohet
në ishte plepi, rrapi apo prej lisi…
Por sa shpesh në kujtesë zgjohet
ai çast, nga ku një histori nisi…
Dhe prej fluturës asgjë s’të vjen ndërmënd,
në ish e vockël, e madhe apo krahëshkruar
E kotë që të pyesësh edhe ndokënd…
të tjerët atë çast e kanë harruar.
E kotë që mendja ngelet tek histori e vjetër
dhe s’ka rëndësi në ish gjeth a flutur
është si të kthehesh mëngjesin e ditës tjetër
e të kërkosh sërish mrekullinë e gonxhes’bukur.
E kotë që detaje do të nxjerrësh nga hija,
që koha, apo vetë, nga mëndja i ke fshirë…
Por s’ka të paguar kur përzgjohet lumturia
e të qënit, me njerëz të dashur e të mirë…
Spektakël i padenjë!
Jetojmë në një kohë kur mediat, në mungesë të institucioneve të tjera edukuese, luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin e njerëzve. Autoçensura që bëjnë mediat vizive, duke transmetuar në orare të veçantë programe të veçantë apo duke vendosur një Bip apo pullë të kuqe kur thuhet ndonjë fjalë e papërshtatshme apo kur ka ndonjë imazh të papërshtatshëm, është për t’u lavdëruar.
Nëse mediat serioze arrijnë ta bëjnë këtë me programet e programuara më parë, është pothuajse e pamundur që të arrijnë të kontrollojnë programet live … megjithëse, mediat serioze do të dinin të seleksiononin spektakle seriozë ku “e papritura” mund të jetë vetëm një rastësi e ndodhur padashur dhe jo për vullnet të protagonistëve.Natyrisht që, ne si spektatorë, kemi pushtetin mbi telekomandën dhe mund të vendosim kurdo që të eliminojmë nga zapping-u ato stacione që nuk i përshtaten shijeve tona, por, tashmë nuk mund të akuzojmë dot as stacionet e veçantë dhe as mediat në përgjithësi… sepse, për sado që mediat të sforcohen për pastërtinë e programeve, shembuj harbutërie dhe spektakle arrogance, ku rrugaçëria shfaqet më brutale se në rrugicat e periferisë, vijnë direkt nga salla e Parlamentit.
Ndoshta nuk jemi normalë ne që e shikojmë Shqipërinë nga jashtë, sepse ndoshta “normalitet” për mentalitetin e shqiptarit të sotëm është bashkëjetesa paqësore me harbutërinë… megjithëse, personalisht, nuk besoj në harbutërinë e shqiptarëve. Nuk besoj, sepse kam lindur dhe jam rritur mes tyre. Nuk besoj, sepse harbutëria dhe arroganca kanë qenë karakteristika vetëm të atyre që shumica i konsideronte si rrugaçë apo budallenj. Ndaj them se është e trishtë të shikosh në Tv spektakle të padenja dhe është akoma më e trishtë kur këto spektakle kanë si skenar Parlamentin e vendit tënd… Parlament që pretendon të jetë ajka e të përzgjedhurve të popullit tënd.
Mund edhe të vendosem në pozicionin e shqiptarit të mësuar të bashkëjetojë me harbutërinë e përditshme dhe ta shijoj spektaklin e ofruar nga parlamenti në Tv, si të ishte një ditë e zakonshme e Big-Brother-it, por nuk mund të pranoj, dhe konsideroj akoma më të rëndë se fjalori vulgar i deputetëve, qëndrimin dhe fjalët e shprehura nga Kryetarja e Kuvëndit në atë seancë (megjithëse nuk është hera e parë që ekspozohet në qëndrime të tilla).
Ne që jetojmë në Itali kemi patur rastin që të shikojmë sekretarin e Partisë Komuniste, Bertinoti, dhe më pas, atë të Partisë Aleanca Nacionale (ishpartia fashiste), Fini, të zgjedhur si Presidentë të Dhomës së Deputetëve. Dy shembuj që vijnë nga kahje politike diametralisht të kundërt dhe në ekstremet e politikës së maxhorancës politike italiane, por që, kur Dhoma e Deputetëve ju dha mandatin e Presidentit, ata (si dhe gjithë të tjerët para tyre) më parë se të ndiheshin përfaqësues politikë të grupimeve të tyre e të kërkonin përfitimin maksimal për to, ndjenin përgjegjësinë e të qënit përfaqësues të të gjithë italianëve dhe për rolin e moderatorit të luajtur prej tyre në seancat parlamentare, asnjëherë nuk është dëgjuar qoftë edhe një fjalë e vetme për diskriminim të njërit apo tjetrit krah politik.
Si të ishin në ndonjë mejhane apo në ndonjë debat televiziv të pakontrolluar, vetë Kryetaria e Kuvendit, që duhet të ishte e para që duhet të moderonte, nuk arrin të jetë e qetë dhe të përmbajë vehten pa shpërthyer në ndërhyrje aspak civile (qoftë edhe për faktin që t’i ndërpresë apo heqë fjalën një përfaqësuesi të zgjedhur nga votat e popullit). Vërtet që sot Xhelil Gjoni mund të konsiderohet arrogant, kriminel, diktator e ç’të duam, por nuk mund të dëshmojmë për qëndrime të tilla halabake në publik apo në Parlament… ashtu si, për sado që të sforcohemi, gjuha arrogante dhe tejskajshmërisht e pozicionuar politikisht e Kryetares së Kuvëndit (kur duhet të ishte superpartes) e ardhur publikisht nga ai spektakël i padenjë në Tv, nuk mund ta lejon që ta konsiderojmë atë si përfaqësuese të denjë të një Demokracie të denjë për atë emër (aq më tepër kur vjen nga radhët e një partie që demokracinë e ka pjesë të pandarë të emrit).
Me ujë deri në fyt!
Ndoshta ishte formati panoramik i televizorit, o ndoshta ishte sfondi i përmbytur nga ujërat, që bënte që, imazhet e grupit të figurave tona më të larta shtetërore në vizitë në zonat e përmbytura, të dukeshin, në mos të deformuara, të paktën, paraqiteshin si shumë më të shkurtër se ç’janë në të vërtetë.Nuk ishte pesha e baltës në çizmet e veshura në këtë rast që i bënte hapat e tyre më të rëndë… një peshë tjetër akoma më e rëndë në shpatullat e tyre, për të mos thënë (duke perifrazuar vetë kryeministrin) “një shpatë e Demokleut ju qëndronte mbi koka”. Këmbët e harkuara të kryeministrit, më shumë se të më sillnin natyrshëm karakteristikën e njerëzve të fortë të maleve, më bënë që ta imagjinoja si një kauboj të sapo zbritur nga kali pas një udhëtimi të gjatë… pas një udhëtimi në të cilin, qoftë për guxim, kryeneçësi, krenari e vendosmëri, asnjëherë nuk ju shmang dueleve dhe sfidave me këdo prej pistolerëve që historia i kish vënë përpara në udhën e tij. Për herë të parë pashë tek ai shenjat njerëzore… nuk ishte më perëndia që, në çdo fjalë e në çdo situatë, të ishte gjithmonë një burim i pashtershëm optimizmi, përkundrazi.
Në fytyrën e tij, sinqeriteti, ndoshta prej “shpatës që kishte mbi kokë”, e bënte të fliste me zemër në dorë: “Jemi pranë një gjendje katastrofike”.
Më shumë se kauboji guximtar, dukej si një fëmijë që, pasi kishte ideuar e krijuar një lodër mjaft të rëndësishme për jetën e tij, të shihte se lodra e tij rrezikohej të zhbëhej.
Zoti Kryeministër më në fund, të paktën shpresoj, e kishte kuptuar që loja ka rregullat e veta dhe nuk mund të shpresohet që të fitohet vetëm me shansin e diletantëve.
Po, Zoti Kryeministër, që një lojë të jetë vërtet e bukur, duhet të ketë edhe rregullat e saj dhe më tepër se rregullat, edhe serioziteti e profesionalizmi me të cilin duhet të luhet loja.
Nuk shkruaj për të gjykuar apo kërkuar fajtorë për këtë situatë dramatike në të cilin ndodhet një pjesë e vendit, por më tepër për të thënë që, më në fund, pas këtij pësimi, të bëheni më koshientë që duhet t’i jepni shumë më tepër rëndësi lojës.
Nuk dua të bëj moral duke filluar që nga respekti sportiv ndaj kundërshtarit, por ama, nuk mund të rri pa theksuar nevojën e seriozitetit dhe profesionalizimit të skuadrës.
Është për tu përgëzuar iniciativa juaj për krijimin e grupit të emergjencës… një grup vërtet i një niveli shumë të lartë, por që niveli i lartë i tij arrihej vetëm nga poltronat që përbërësit e tij zënë në ministritë e ndryshme, por jo nga specialistë të mirëfilltë në fushat ku duhet të veprojë grupi.
Mund t’ju përgëzoj dhe për vizionin tuaj largpamës për krijimin e parqeve energjetikë, duke filluar që nga shfrytëzimi i erës dhe diellit pa lënë pas dore dhe qymyrin apo bërthamoren, por, dhe i kthehem edhe një herë domosdoshmërisë së profesionalizmit për të luajtur një lojë të suksesshme, duke patur parasysh dhe zërin e ngritur me forcë herë pas here nga faqet e kësaj gazete në artikujt e saj të Edlira Gjonit: Do kemi nevojë, më shumë se për juristë dhe ekonomistë, për figura të kualifikuara teknikisht; që të mos ngelemi në mëshirë të Zotit si herën e fundit, veproni, nëse kini Zot, edhe në drejtim të arsimimit profesional… është loja juaj zoti Kryeministër, bëjeni që të jetë e bukur. Mos lini gjithçka keni bërë deri më tani në dorë të diletantëve dhe të shpresës në shansin e mirë. Bëjeni të tillë që rezultatet e saj t’u japin kënaqësi si lojtarëve protagonistë, por edhe neve tifozëve të pafajshëm që shpeshherë kemi qenë të detyruar të ndjekim spektakle aspak të denjë.
Lojë të mbarë zoti Kryeministër!
http://www.tiranaobserver.com.al/index.php?option=com_content&view=article&id=1724:me-uje-deri-ne-fyt&catid=40:forum&Itemid=72
Gëzuar Vitin e Ri 2010!
Nuk mund ta lija vitin 2009 pa postuar në ktë botë virtuale një post me urime për miqtë virtualë, sidomos për ata që, përtej virtuales, pata mundësinë këtë vit që t’i takoja personalisht.
Ka qënë kënaqësi vërtet e bukur që pata mundësinë të takohesha me Alessandron dhe Fatmirin, dy djem që më lanë një farë zhgënjimi… në botën reale ishin shumë herë më të mrekullueshëm se sa të mirë isha mësuar që t’i imagjinoja. Gëzuar juve dhe familjeve tuaja dhe qoftë 2010 vit prosperiteti për MondoPiza-n e Manzano-së.
Ishte kënaqësi që të njihesha dhe takohesha me Dritan Mesulin… dy orë të ndenjtura bashkë që më kanë lënë ndjesinë e një poezie të bukur! Gëzuar Dritan! Ta bëftë Zoti mbarë kudo që të jesh e ngado që të shkosh!
Nga takimi në Modena, nuk mund të rri pa përmëndur kënaqësinë e provuar duke njohur personalisht Oltin, Darienin dhe Entelën… të tre për t’i pirë në kupë. Urimet më të mira për një 2010 si vit i realizimit të ëndërrave tuaja rinore dhe suksese në projektet tuaja… e një vit të mbarë për Albania News-in!
Nuk mund të rri pa përmendur si periudhën më të bukur të jetës time, pushimet e fundit që kalova në Shqipëri (ndoshta ngaqë rregullova dhëmbët?!
) … takimi nga afër me njerëz që qenë bërë të afërt nga virtualja, qëndrimi me ta si me njerëz të afërt dhe që sikur njiheshim prej vitesh, ishte vërtet i mrekullueshëm.
Takimi me Alidën dhe Aidën… ritakimi me Edlirën dhe Mirin… më bënin vërtet që të ndihesha i nderuar që ndodhesha me këta njerëz të dashur që edhe takimin më të thjeshtë për një kafe dinin ta mbushnin me ngrohtësi dhe kur ndaheshe me ta, ndjeheshe vërtet mirë.
Takimi me Kotheren dhe Ronin… si me një miq të vjetër që sikur s’kish as gjysëm ore që qemë ndarë dhe ritakuar… e kotë që të zgjatem…
Takimi me Blendin… përshtypjet e mija që ishte një djalë inteligjent, me edukatë, i dashur dhe me një sens shumë të hollë humori, u konfirmuan katërcipërisht… takimi u nis për një kafe dhe mbaroi vetëm pasi nuk mund të shtynte më një takim me disa të tjerë (takim që e shtyu të paktën 2-3 herë
).
Një takim, qoftë edhe pse vetëm për disa çaste me StrangeMan, hyn me të drejtë në palmaresin e momenteve të bukura… një nga ato momente që të bëjnë të ndihesh i lumtur që miqtë e tu janë mirë.
Për hir të kronikës, takova edhe Llukanin… për t’ju dhënë një ide më të qartë për sensacionin që më la, këtë herë mu duk si ata testimonët e Jehovait…pamvarsisht prej budallalliqeve të peshkut, ngelet si gjithmonë një djalë i rregullt, i pastërt, me edukatë…
Nuk mund të lë pa përmëndur si një nga momentet më të bukura të këtij viti edhe odisenë time në Amerikë… odise që pati një nga momentet e saj më të bukura takimin me Blertën, Mondën dhe Alidën… Vërtet vajza me një ngrohtësi dhe dashuri që të bënin të ndiheshe jo si shok, por si vëlla e kaluar vëllait. Diskutime dhe muhabete nga më të ndryshmet që dukej sikur i kishim lënë përgjysëm një ditë më parë dhe jo sikur ishte hera e parë që takoheshim… si me gjithë të tjerët e përmëndur më sipër, edhe ky takim ishte një nga ata që kur ndaheshe të bënte të ndiheshe mirë… të linte një ndjesi lumturie që ndenje me njerëz të dashur dhe të mirë.
Meqë po flas për Amerikën, nuk mund të rri pa përmëndur, megjithse nuk arrita të takohesha, edhe Blerimin e Florin, takimin me të cilët nuk munda ta bëja vetëm për shkak të rikthimit tim të paprogramuar (megjithëse, takimi me zonjën e Blerimit më la vërtet të lumtur sikur të isha takuar me të vetë… nëse është e vërtetë që: pas çdo burri të madh është një grua e madhe, atëhere vërtet që Blerimi i plotëson kushtet që të jetë vërtetë ai shok i mirë që jemi mësuar ta njohim në virtuale
).
Nga”odiseja” njujorkeze, më ngeli merak që nuk e dija që në atë periudhë ishte edhe Çimi atje… ashtu siç më vjen turp që nuk shkova të takoja Idrizin…
Gëzuar të dashur miq!
Qoftë 2010 një vit i mbarë e plot lumturi e shëndet për ju dhe familjet tuaja!
Qoftë gjithashtu ky vit, viti plot me dasmat e të pamartuarve… Qoftë viti që të takoni njeriun tuaj të zemrës, që t’ju dojë e respektojë ashtu siç e meritoni: T’ju bëjë të lumtur!
Gëzuar nga Zemra!.
Përçartje… në ethe
Kujtimi u tret
Dëshira u zbeh…
E lodhur tashmë mbi shkresa
e pafuqishme ndihet dhe Besa.
Manushaqja e fishkur
Mimoza e tharë
Gonxhja mezi mban lotët
gati më të qarë.
Luani i shtrirë,
Guximi ka shterur…
Trimi s’është më ai që dikur qe…
Lumi i ngrirë
Dashi si i therur
O grip i qelbur që njeri në këmbë nuk le…
Amandoti
Të të dua më mundon, më boshon nga brënda
Diçka që i ngjan të qeshurës kur qan
Të të dua më mundon,
më jep trishtime
Ç’ti bësh, kështu e ka jeta
kështu është jeta ime
Duamë akoma,
bëje ëmbëlsisht
Një vit,një muaj, një orë…
t’përhumbur përjetësisht Lexo »


Ky artikull ka
0 komente