Përralla për të rritur

Jeni duke shfletuar arkivin për kategorinë Përralla për të rritur.

Punën e dhive… e prishe fare,
pse merresh me punë që s’e ke zanat?
gjithçka e ’shive e nuk t’erdh marre…
e ma shum se prej zorit, e ban për inat

e di se je ma i ftoftë se njiri i borës
e ç’ka t’thot bota s’e merr për kapital,
nuk asht se po hapë kutinë e Pandorës
me t’thanë që dhija jeton ma mirë n’mal…

Kushtuar … barinjve të improvizuar…

Na ishte një herë një mal i lartë dhe rrëzë tij një fshat i vogël.
Fshatin e vogël në rrëzë të malit rrezet e diellit e rrihnin vetëm pak orë në ditë dhe kështu fshati i ngryste ditët e tij nën hijen e përjetshme të malit. Mungesa e rrezeve të diellit bënte që fëmijët e fshatit të rriteshin rakitikë dhe të gjithë ndiheshin të pafuqishëm përballë fatit të tyre… deri sa një ditë, një mëngjes herët, panë më plakun e fshatit që me një lugë në dorë po nisej drejt malit.
- “Ku po shkon o Plak i urtë me atë lugë në dorë?” e pyetën banorët e fshatit
- “Skam forcë që të mbaj kazmën, por edhe me lugë do të nisem që të sheshoj malin” u përgjigj Plaku, duke vazhduar më pas ” e di, është çmënduri dhe e pamundur, por të paktën të tregojmë që duhet të ndryshojmë diçka dhe dikush duhet që të fillojë për të bërë ndryshimet”.

Kjo përrallë e vjetër kineze mund të ishte  “hyrja” e një diskutimi ku mund të flisnim për shumë gjëra… mund të flisnim për korrupsionin dhe për “të çmëndurit” e rradhës që kërkojnë një botë me mani pulite… me duar të pastra apo ku  iniciativa të ndryshme antikorrupsion (përfshirë dhe numra celularësh për denuncime me SMS) deklarohen me qëllimin e mirë për një botë më të pastërt.

Jo, kjo përrallë këto ditë më sjell ndërmënd Barack Obamën… plakun e Amerikës që mbi supe ka barrën e shërimit të “rakitizmit” amerikan, e pse jo edhe atë të gjithë botës.

Pas disa javësh e gjithë bota do të mbajë sytë e veshët në Takimin e Njëzetëshes, ku 20 vëndet më të industrializuara të botës (90% e prodhimit industrial botëror) do të takohen për të gjetur strategji të përbashkëta për kalimin e kësaj periudhe krize që ka përfshirë jo vetëm sistemin financiar, por edhe ekonominë reale botërore.

Këtë herë, për herë të parë që kur këto lloj takimesh kanë filluar, Amerika nuk është në rolin e diktuesit të rregullave të lojës apo strategjive të reja ekonomike e financiare  botërore, por paraqitet si dëgjuese mes të tjerëve për të arritur, nëse munden, në gjetjen e një Arkitekture të Re të Financës Globale.

Mungesa e ideollogjive, mungesa e një Etike  të njohur, të pranuar dhe respektuar prej të gjithëve, pas “eksperimentimit” të lirisë dhe dhënies së një pushteti të gjithfuqishëm të disa personave, që të vetëm ishin në gjëndje të lëviznin fijet e financës botërore, tashmë po i shtyn të gjithë që të Mendohen mirë për të vendosur Rregulla, që të jenë në gjëndje të garantojnë liri veprimi  si për prodhimin dhe financën.

“Plaku” amerikan, për të mbajtur në këmbë ekonominë e financat amerikane, në hapat e tij të parë që bëri sapo hyri në Shtëpinë e Bardhë, ishte injektimi i një sasie të paparë parash në sistemin financiar, duke shpresuar që “shërimi” i sistemit të sëmurë financiar do të mbante në këmbë edhe ekonominë reale.
Kompleksiteti i faktorëve që ndikojnë në keqësimin e thellimin e përditshëm të krizës, është i tillë që askush sot nuk guxon të japë receta apo që të ketë një zgjidhje që do të jepte rezultate të menjëherëshme, por edhe kur shikohen sforco të tilla nga “plaku”… sërish Mentaliteti i Sëmurë Amerikan, do të nxjerrë krye.
E kam fjaln për rastin e  AIG, kolosin ndërkombëtar të asikuracioneve… një prej subjekteve që , ndryshe nga ndonjë simotër e saj që s’pati ndihmën ekonomike, pati prej qeverisë 170 miliardë ndihma… vetëm vitin e kaluare mbylli me 65milionë humbje dhe këto ditë shpërndan bonus-e për administratorët e saj për një sasi prej 165milionë$.

Ndoshta në Amerikë, vëndi ku realizohen ëndërrat, ky është një mentalitet i pranueshëm në rangje të tillë të lartë të botës së financës, por edhe pa qënë besimtar i çfardolloj feje apo komunist, kjo është mungesë e theksuar ETIKE dhe respekti si dhe PAPËRGJEGJSHMËRI e këtyre personave që vazhdojnë të tregojnë që, përballë Zotit të tyre Parasë, nuk duan t’ja dinë për asgjë tjetër.

***

Akrepi donte të kalonte përtej pellgut me ujë… meqë not nuk dinte dhe i duhej të kalonte patjetër, i lutet një bretkose: “Të lutem, hidhmë matanë”. “Jo” ju përgjigj bretkosa… “ta kam frikën… sepse po më pickove unë ngordh”
“Si mund të të pickoj… po ngordhe ti, atëhere edhe unë jam i dënuar që të mbytem bashkë me ty, kështuqë mos ki frikë…”
ju përgjërua akrepi.
E bindur prej këtyre fjalëve, bretkosa pranoi që ta kalonte… por mu në mes të pellgut, akrepi e pickoi bretkosën, e cila ndërkohë që po ngordhte i thotë: “Përse e bëre? A e di që edhe ti do mbytesh tani?”

- “E di, por është në natyrën time… nuk mund të mos e tregoja vehten u përgjigj akrepi

Një pyetje kisha: Deri kur do të vazhdojmë të mbajmë akrepë të tillë që të na drejtojnë?

Jooooo! Nuk i afrohet aspak dyshimit hamletjan, është thjeshtë një pyetje që mund t’i bëhet gjithkujt që i merr gjërat si të mirëqena dhe vështirë se mund të ndërrojë mendim… dhe më e keqja është se kur ndërron mendim, pikërisht atëhere ngelet më i zhgënjyer se kurrë.

Tregojnë për një fshat të varfër. Fshatarët ishin vërtet të varfër dhe të vetmin burim fitimi për jetesën që kishin, ishte bërja e shportave me thuprat e shelgjeve dhe degët e kallamave që rriteshin në kënetën që i rrethonte.
Ushqimi i tyre i vetëm ishte peshku dhe ngjalat që zinin në kënetë dhe ndonjë copë buke e blerë me paratë e shportave të shitura.
Jeta e këtij fshati nuk njihte ndryshime prej kohësh… deri në ditën kur atje shkuan dy jabanxhinj, një zotëri me shërbëtorin e tij.
Jo, nuk ishte prezenca e jabanxhinjve që ju prishi terezinë fshatarëve, por ishte aktiviteti i tyre që papritur gjallëroi dhe lulëzoi atë fshat të humbur.

Që ditën e dytë kur erdhën në fshat,  shërbëtori i mblodhi të gjithë fshatarët dhe ju tha: “Zotëria im është shuuuumë i pasur, ai ka aktivitete në shuuuumë vënde të botës dhe kudo është shquar për aftësinë e tij për të shfrytëzuar mundësitë që i ofron jeta. Edhe në këtë fshat të humbur, ai shikon mundësinë që të fitojë… ama mos e merrni si shfrytëzim, sepse fiton ai, por edhe ju do të dilni të fituar”

Shkurt muhabeti, zotëria donte të hapte një aktivitet me bretkosat, dhe ju paguante fshatarëve 1000 lekë për çdo bretkosë që do t’i shisnin.

Ç’të shikoje në atë fshat pas kësaj dite… me kuç e me maç ju hynë moçaleve duke mbledhur bretkosa… fshatarët papritur u bënë të pasur… kishin mundësi të blinin gomerë e biçikleta… bile ndonjëri, për të mos humbur rastin për t’ju ngjarë ca kushërinjve në qytet, arriti që të blinte edhe një merçedes.
Por edhe ato të shkreta bretkosa nuk është se nuk mbaronin… dhe duke parë që po rralloheshin bretkosat, zotëria ofroi 5000 lekë për çdonjërën prej tyre, gjë që i dha dhe një herë shpresë fshatarëve për t’ju rikthyer moçalit.
Pas një muaji, gropa e hapur prej jabanxhinjve për të mbledhur bretkosat ishte pothuajse plot, ndërsa në kënetë kishin ngelur shumë më pak…
Ndodh që, zotëria lajmëron fshatarët: “Zotërinj, unë po nisem për të bërë ca marveshje të rëndësishme, por duke e ditur që me këto bretkosa fitimi është i madh, dhe meqë më duhen dhe shumë të tjera, por meqë e di se është e vështirë për t’i mbledhur si më parë, ju ofroj 10mijë lek për çdo bretkosë, dhe sa të vij ju paguaj!”

Të nesërmen në mëngjes, pasi zotëria kishte lënë fshatin, shërbëtori i tij ju doli përpara fshatarëve që po shkonin të mblidhnin bretkosa dhe ju bën këtë propozim: “Padroni im do t’ju japë 10mijë lekë për çdo bretkosë, unë nuk e di se sa jeni në gjëndje që të mblidhni, por unë ju shes me nga 5000 lekë  bretkosat e gropës… sikur e di padroni se sa janë… ju mbajini në shtëpi dhe kur të vijë padroni shitjani me nga 10mijë… kështu fitoni ju, por edhe unë e bëj ndonjë lek”
Fshatarët panë njëritjetrin në sy dhe të gjithë ç’ishin u kthyen në shtëpitë e tyre për të marrë paratë… shumë prej tyre vrapuan deri në qytet për të marrë para borxh në miq e banka për të mos humbur një rast të tillë… në darkë kishin blerë pothuajse të gjitha bretkosat që gjendeshin në gropë….

Doni të dini vazhdimin?

Zotëria nuk u kthye më në atë fshat, po ashtu edhe shërbëtori…

Morali i përrallës? Gjejeni vetëëëëëë!

Etiketa: , , ,

Një zonjë, me fuoristradën e saj të re, kishte dalë që të bënte një xhiro nëpër xhungël. Me vehte kishte dhe qenushin e saj të vockël, i cili, në një moment kur ndaluan për të pushuar, i habitur mbas një fluture, duke e ndjekur atë, largohet dhe e sheh veten vetëm në mes të xhunglës dhe një luan që po vraponte në drejtimin e tij.

I tmerruar e sheh që nuk mund të shpëtojë duke vrapuar dhe, meqë aty pranë shikon skeletin e një kafshe të ngordhur prej kohësh, i afrohet dhe filloi të lëpinte njërën prej kockave. Në momentin kur luani po përgatitej që ti hidhej përsipër thotë: “Mmm, sa i mirë ishte ky luani që hëngra… gati gati e ha dhe një tjetër tani”.
Luani kur dëgjoi këto fjalë, i trembur edhe ngaqë nuk kishte parë ndonjëherë një kafshë të tillë, u step dhe mendoi me vehte: ” E përse duhet të rrezikoj… në fund të fundit edhe sikur ta ha, një kafshatë është ajo, kështuqë nuk ma shuan urinë”.

Duke përfituar nga ky moment hezitimi i luanit, qenushi i vogël filloi të vraponte drejt makinës, por një majmun, që kishte parë të gjithë skenën nga maja e një peme, i thotë luanit: “Sa budalla që je o i shkretë, ai skelet ka një muaj që është aty… ta hodhi edhe një qenush i vogël!”
Luani i zemëruar i ktheht majmunit: “Ah ashtu? Atëhere hajde me mua dhe të tregoj unë ty se sa frikë e kam unë atë kafshën tjetër”!
Kërcen majmuni në kurriz të luanit dhe ky fillon të vrapojë në drejtim të qenushit…
Lexo më tej »

Etiketa: ,

Na bëhej një herë një garë kërcimi së larti… për bretkosat.
Duhej të kërceni dhe fitonte ajo që arrinte mbi një vozë të lënë në mes të sheshit.
Tifozlliku i madh, i mbledhur për të parë garat, pasi shikonte përpjekjet e bretkosave që përplaseshin pothuajse në mes të lartësisë që duhej të arrinin filloi të lëshonte fraza të tilla: “Gjynah, është e pamundur!”, “e kotë… nuk mund të arrijnë kurrë”, “nuk e shikojnë që vetëm vriten dhe nuk kanë asnjë mundësi që të arrijnë?”

Pas disa provash të pasuksesëshme disa nga bretkosat u tërhoqën… disa të tjera, duke marrë dhe opinionin e publikut ngritën flamurin e bardhë pas disa tentativash të tjera…
Vetëm një nga bretkosat vazhdonte të tentonte me kërcimet e saj… që më në fund, pas shumë provash, kurorëzoi përpjekjet e saj me një kërcim që e bëri të arrinte mbi vozë dhe të fitonte çmimin.

Gjithë bretkosat e tjera, kurioze dhe pak ziliqare ndaj fitueses, ju afruan dhe filluan ta përgëzonin dhe ta pyesnin se si ishte e mundur që ja arriti të kalonte një provë kaq të vështirë, por…. nuk morrën përgjigje….
Kështu e kuptuan se bretkosa fituese… ishte shurdhe dhe nuk dëgjonte nga veshët!

Morali: Mos rri të dëgjosh ata që kanë zakonin e keq që të mendojnë vetëm mbrapsht… ata të mbysin shpresat e tua më të mira! Kujtohu gjithmonë për fuqinë që kanë fjalët që dëgjon ose lexon, por mbi të gjitha mendo gjithmonë të mirën, mendo Pozitivisht!

Etiketa: ,

Paradokse të kohëve moderne
Kemi pallate që ngrihen gjithnjë e më lart, por moral që zbret gjithnjë e më poshtë…
Autostrada gjithnjë e më të gjëra, por horizonte gjithnjë e më të ngushta…
Shpenzojmë më tepër, por kemi më pak, sa më shumë blejmë aq më pak kënaqemi
Kemi shtëpi më të mëdha dhe familje më të vogla, shumë më tepër komoditete, por shumë më pak kohë të lirë.

Kemi më tepër instruksion por më pak buonsens… më tepër koshiencë por më pak gjykim, jemi më ekspertë por lindin më shumë probleme, shumë më tepër ilaçe por akoma më të shumta sëmundjet.

Kemi shumfishuar pasuritë e reduktuar vlerat.
Flasim shumë, dashurojmë shumë rrallë e urrejmë më shpesh.
Kemi mësuar se si të fitojmë për të jetuar por jo se si të jetojmë.
I kemi shtuar vite jetës, por jo jetë viteve…

Mund të shkojmë në hënë, por nuk arrijmë të kalojmë rrugën për të vizituar gjitonin përballë…
Kemi bërë gjëra më të mëdha por që s’do të thotë se janë më të mira
Përpiqemi të mbajm planetin të pastër por nuk shikojmë që kemi pislliqe brënda…

Shkruajmë më tepër e mësojmë më pak
Planifikojmë më tepër por realizojmë shumë më pak
Kemi mësuar të vrapojmë por jo dhe të presim

Jetojmë në kohën e fast food dhe tretjes së ngadaltë…
… të burrave të mëdhenj me karakter të vockël…
… të përfitimeve të mëdha dhe mardhënieve gjithnjë e më të pakta…
… të shtëpive shumë më të bukura dhe familjeve shumë më pak të lumtura

Jetojmë me iluzionin e bollëkut në vitrina dhe me realitetin e depove bosh…

Jetojmë në një kohë që teknologjia të mundëson që të lexosh këtë shkrim, të cilin mund ta pëlqesh apo jo, mund të reflektosh apo jo, ta ruash apo ta fshish, por një gjë mos e harro:

Jetën mund ta masësh me sa herë marrim frymë, por mund dhe ta kujtosh atë vetëm me momentet që ke ngelur “pa frymë”.

« Postimet më të vjetra