Vërtet që politika nuk mund të reduktohet në një karikaturë groteske që dëmton prestigjin e institucioneve, por kur politika vetë është burim i përditshëm i shembujve të shëmtuar se si nuk duhet të bënte e vepronte, atëherë gjithkush ndjen të drejtën të thotë atë që mendon ashtu si i vjen më mbarë.
Natyrisht që, cilido prej nesh do ta kishte shumë të vështirë që t’i afrohej ekstremizmit verbal, aq më tepër nivelit të ulët të argumentave të përdorur në “betejat” e politikës dhe politikanëve tanë, por kur idetë na vijnë nga politikanët e tjerë të përtejdetit, atëherë propozimet e tyre nuk ka pse të mos i bëjmë tonat.
Në atmosferën shqiptare, ku tifozeritë politike ndjekin moton e pacënueshme:” O me ne, o kundra nesh”, propozimi i fundit do të tingëllonte fantastik… së pari do të deklamonin emrin e kundërshtarit numër një, kryetarit të partisë kundërshtare, por me kalimin e kohës do të fillonin të vrisnin mendjen dhe … do shikonin se, edhe për krahun e tyre politik, pakkush do të shpëtonte pa u kandiduar në një propozim të tillë e pastaj do të fillonin ta konsideronin propozimin si një sulm të ulët ndaj institucioneve dhe figurave kryesore të politikës.
Përse bëhet fjalë?
Eurodeputeti italian, ish-gjykatësi Luigi De Magistris (Luixhi De Maxhistris), në blogun e tij, shkruan një mesazh të tillë nën fotografinë e Berluskonit, ku propozonte: “Një fluturim zyrtar duke e shoqëruar dhe me Apiçellën e fundja edhe me ndonjë zonjushë simpatike. Destinacioni? Këshillojmë ishujt Kajman. Nëse mërzitet, ndonjë kalë bashkë me stallierin e besuar do ta gjejë edhe atje. Gazetat dhe TV-të do rifillojnë të bëjnë zanatin e tyre: të informojnë rreth fakteve. Parlamenti do të kthehej në rrjedhën e tij natyrore, sepse i devijuar sot nga agjenda e tij gjyqësore që sot dikton temat, që tashmë është tema e institucioneve. Gjyqësori duke mos qenë më nën sulmet e përditshme mund t’i dedikohet pa frikë misionit të tij dhe mafiet nuk do të ndiheshin padronë që mund të veprojnë të pashqetësuar. Për kasat e shtetit fitimi do të ishte i lartë, për të mos folur për ato të etikës publike. Mbi të gjitha nuk do të dëgjojmë më mantrën e tij që ushton si në takimet ndërkombëtare por edhe në ato private, që thotë se komunistët, flamujtë e kuq, prangat e tyre të çmendura që vërsulen kundër një njeriu të vetëm”.
«Pjesa kryesore e propozimit - vazhdon eurodeputeti - është kjo: i garantojmë Berluskonit mundësinë që të lërë Italinë pa patur pasoja. Nuk ka as truk dhe as mashtrim: vetëm nevoja për tu rikthyer një vend demokratik e civil”.Mund ta marrim si diçka serioze ose si një batutë humoristike në kufijtë e sarkazmës, por, duke bërë analogji me bezdinë që krijojnë figura të ndryshme të politikës shqiptare, nuk do të ishte krejt e pakuptimtë që të zëvendësohej emri i Berluskonit me emrin e politikanit tonë të “preferuar” dhe… ta nisnim atë ashtu siç propozon eurodeputeti italian: sa më larg!

Asnjë Koment
Burimi RSS i komenteve të këtij artikulli
Trackback
http://edrus.shqipo.com/2010/01/05/proposta-indecente/trackback/