Naroni, i racës antike të Rigelëve, ishte i katërti i racës së tij që mbante regjistrat e të gjitha galaktikave. Kishte Librin e Madh, me listën e shumë racave e të të gjitha galaktikave që kishin zhvilluar inteligjencën, dhe atë, natyrisht më të vogël, në të cilin ishin regjistruar të gjitha racat që, pasi kishin arritur një farë pjekurie, gjykoheshin si të denja për të marrë pjesë në Federatën e Galaktikave.
Nga regjistri i madh ishin fshirë shumë emra: ishin emrat e popujve që, për një arsye apo ndonjë tjetër, nga katastrofat apo paaftësia ishin zhdukur. Fatkeqësitë, defektet biofizike apo biokimike, çekuilibrimet shoqërore kishin marrë haraçin e tyre. Ndryshe nga Libri i Madh, asnjë emër nuk qe fshirë nga libri i vogël.
Naroni, i madh e tejmase i plakur, shikoi lajmëtarin që po afrohej.
- “Naron! I madhërishëm e Unik!” foli lajmëtari
- “E mirë, mirë, ç’ka ndodhur? Lër mënjanë protokollin ceremonial.” ju kthye Naroni duke bërë me shenjë që të shpejtonte, ndoshta ngaqë këto e mërzisnin.
- “Një tjetër bashkësi organizmash ka arritur pjekurinë” tha lajmëtari.
- “Shumë mirë! Shumë mirë! Rriten shpejt tani. Nuk ka vit që të mos dalë ndonjë e re. Kush është ky popull i ri?” pyeti Naroni.
Lajmëtari i dha numrin e kodit të galaktikës dhe koordinatat e planetit brënda saj.
- “Hëmmm, po, e njoh atë botë.” tha Naroni duke u sforcuar që të kujtohej dhe me shkrimin e tij të rrjedhshëm mbajti shënim tek libri i madh e më pas po hidhte emrin tek i dyti, duke përdorur, si zakonisht, emrin me të cilin ai planet njihej nga pjesa më e madhe e popullsisë, e po shkruante “Toka” duke e shqiptuar emrin ndërkohë që shkruante.
-“Këto krijesa të reja mbajnë një rekord të çuditshëm. Asnjë organizëm tjetër s’ka kaluar nga inteligjenca e thjeshtë në pjekuri në një kohë kaq të shkurtër. Shpresoj që të mos ketë ndonjë gabim.” tha Naroni pasi shkruajti emrin.
- “S’ka asnjë gabim, zotëri” ndërhyri lajmëtari i sigurt.
- “A e kanë zbuluar energjinë termobërthamore?” pyeti Naroni.
- “Sigurisht!” ju përgjigj lajmëtari.
- “Shumë mirë, ky është kriteri i përzgjedhjes.” pohoi Naroni duke qeshur i kënaqur. “Së shpejti anijet e tyre do hyjnë në kontakt me Federatën.” shtoi Naroni si për diçka më se normale e të sigurt.
- “Për momentin, i Madhërishëm e Unik, -tha me një zë të ndrojtur lajmëtari- vëzhguesit thonë se ata nuk kanë tentuar akoma udhët e hapësirës.”.
- “Hiç fare? Nuk kanë stacionet e tyre në hapësirë?” pyeti Naroni duke shprehur çudi.
- “Jo akoma, zotëri.” u përgjigj lajmëtari pothuajse si të kërkonte falje.
- “Po nëse e kanë zbuluar energjinë bërthamore, ku i bëjnë provat e tyre, shpërthimet eksperimentale?” pyeti Naroni gjithnjë e më i çuditur
- “Në planetin e tyre, zotëri” ju përgjigj lajmëtari
Naroni u ngrit në këmbë e duke u drejtuar, në madhështinë e tij gjashtëmetroshe, me një zë si bubullimë tha: “Në planetin e tyre?!”
- “Po, zotëri.” ju përgjigj lajmëtari.
Me shumë ngadalësi Naroni mori penën dhe hoqi një vijë mbi atë që sapo kishte shkruajtur tek libri i vogël. Ishte një veprim i paparë, por Naroni ishte shumë, shumë i urtë dhe mund të shikonte më mirë se kushdo tjetër atë që mund t’i ndodhte universit të galaktikave.
“Racë budallenjsh!” mërmëriti Naroni.
përkthyer nga italishtja; “Razza di deficienti!” Isaac Asimov
Etiketa: isak azimov, përkthim

Asnjë Koment
Burimi RSS i komenteve të këtij artikulli
Trackback
http://edrus.shqipo.com/2009/12/27/race-budallenjsh/trackback/