Letër fëmijës së pangjizur kurrë…
I/e dashur….
Kështu zënë fill zakonisht letrat, kur njerezit u shkruajnë miqve, familjarëve, të afërmve, të njohurve e të panjohurve.
Por unë sot, çuditërisht pas kaq kohësh, kam vendosur të të shkruaj ty, bebes sime qe s’arrite kurrë të bëheshe as embrion, as fetus, as fëmijë…
Mos më pyet pse vendosa të të shkruaja tani, tani që të kam më larg se kurrë, ndoshta malli, ( ka mall njeriu, vallë, për dikë që s’e ka parë, s’e ka prekur, s’e ka përqafuar ndonjëherë?) ndoshta, pas kaq kohësh që jam përpjekur të të heq nga mendja, dorëzohem pa kushte para teje, s’e di….
Po si të të drejtohem unë ty, e shtrenjta kërthija ime e pangjizur, ferishtja ime e paemër… Ti mbete…Ti mbete thjesht një gjurmë hormonesh çmendurake në gjakun tim, një gjurmë hormonesh që brenda një çasti të vetëm më bënë të përjetoj të gjitha fazat marrëzisë…
Unë isha marrëzisht e lumtur, asokohe, kur shkoja përditë në klinikën e një qyteti të huaj dhe ndihmës-mjeket, me të cilat shkëmbim ndonjë fjalë në anglisht, fort të kujdesshme e buzagaz, më merrnin gjak nga damarët e mi të hollë… dhe ti duhet ta dish që unë i kam tmerr gjilpërat, më zë gjaku dhe nuk shikoj dot as kur theret një pulë, mbi të gjitha i urrej spitalet, qoftë dhe kur ngjajnë si hotele me pesë yje…( e ndjej që ti po vë buzën në gaz tani, i pëlqen dhe ti shakatë njësoj si unë)
Por unë isha e lumtur, isha e ngazëllyer, isha në qiell të shtatë… vetëm për ty. Do të jepja gjithçka për ty, fryma ime…
Mjekët më thanë që çdo gjë po shkonte më së miri, hormonet ishin në nivelet e duhura, domethënë kishin marrë arratinë, (e mirë, qesh ) dhe më ngjante sikur ato vallëzonin tërë gazmend me njëra-tjetrën, fluturonin të azdisura, hovnin pupthi pa fre…
E mban mend kur ta pata treguar atëherë, kur sapo të kishin vendosur brenda trupin tim, përrallën e Borëbardhës dhe shtatë xhuxhave, apo jo? Përfytyro shtëpinë e xhuxhave, një katrahurë e vërtetë, një katrahurë e hareshme, por e gëzuar… Ja, ashtu i përfytyroja unë hormonet e mia dhe prej gazmendit të tyre marrok, kërleshur me farën shend e verë të dashurisë të atit tënd, diku në një epruvetë të ngrohur nga lëvizjet marramendëse të ku e di unë ç’reaksionesh të çuditshme kimike e njerëzore, në qoshe të një laboratori steril, që dua ta mendoj të larë në dritë dielli, do të ngjizeshe ti.
Në krye do të ishe një embrion i vockël, thuajse i padukshëm, mandej ditë pas dite do të rriteshe, do të bëheshe një fetus, do të formohej koka, do të formoheshin syçkat, që unë doja t’i kishe të blertë, do të formoheshin doçkat, këmbkat me të cilat ti do të më qëlloje, kur të ishe i uritur, apo dhe kur të ishe i gëzuar, e unë do të hovja përpjetë nga drithërimi i së panjohurës, do të formohej gjinia jote…
E di, doja që ti të ishe një bebushe e bukur, një çupëlinkë nazike e ojnatare dhe ne të dyja do të luanim bashkë, do të lexonim libra pa fund, do të ëndërronim Piter Panin, Uendin dhe Djemtë e Humbur në Ishullin Kurrkund, do të këndonim këngët gazmore të Meri Popinsit, do të shëtisnim botën me Guliverin, e do të endeshim me Lizën e Beni Banin në botën e çudirave, madje do të shkonim dhe për çaj tek Kapelabërësi i Marrë e do të recitonim poezitë e të fandaksurit Tuidëlldi… J Do të vallëzonim si dy balerina të hajthme e sqimatare “Liqenin e Mjelmave” apo “Singing in the rain”… Do të ndanim sekretet tona me njëra-tjetrën e do të betoheshim që s’do t’ia thoshim kurrë askujt… Dhe ngaherë, e di cili do të ishte lajtmotivi që do të na shoqëronte në ngarendjet tona? “Smile, without a reason ëhy/ smile, as if you were a child…”
Do të… do të… do të…
Kushedi dhe sa e sa gjëra të tjera do të kishim bërë ne të dyja, vogëlushja ime…
Dhe unë të pata premtuar që nuk do të mërzitesha kurrë me ty… E si të mërzitesha unë me ty, kur të kisha pritur aq gjatë, kur të kisha kërkuar aq dëshpërimisht, kur të doja aq shumë, e vogla ime?
Unë isha …thjesht e lumtur, se po të prisja ty. E di, e di që po e përsëris shumë herë këtë fjalë, por nuk dua as ta fshij, as ta zëvendesoj me ndonjë fjalë tjetër, sepse dua që ti të kuptosh vërtet ç’ishe për mua.
Atë ditë që mjekët, burra me përparëse e me maska në fytyrë, armatosur me pinceta, tuba e gypa të gjatë të vendosën brenda meje, unë nuk pata turp fare, i ndjeva të gjitha dhembjet, (jo të rënda, shpirt, mos u merakos,) por aq më bënte, unë do të të kisha ty!
- You like nice, - më tha mjeku pas ndërhyrjes. Dhe unë s’e fsheha aspak kënaqësinë:
- I’m happy and I feel really good.
- This is the spirit, - më tha ai. – You’ll be pregnant, madam and you’ll have a beautiful baby and he will have a wonderful mother. Good Luck! (Po t’i them ashtu siç m’i tha mjeku, pa t’i përkthyer në shqip, pasi atje ku mendoj se duhet të jesh ti, diku në eter, fliten gjuhë universesh të panjohura, jo më këto gjuhët e tokës sonë të vogël)
Oh Zot, unë isha e sigurt, krejt e sigurt, njëqind mijë herë e sigurt që dashuria ime ishte aq e madhe dhe e pafund për ty, sa s’do të kishte Zot në qiell e Luçifer në Ferr që të vihej mes ne të dyve.
Edhe kthimi në shtëpi qe i bukur. Ti e di, unë e adhuroj fluturimin, dhe me ty brenda vetes sime, tek i mbaja sytë nga dritarja e avionit që çante përmes reve të pambukta e lëbyrëse, shpirti im i gufmuar qe ngjitur dhe më lart reve, kishte arritur skajin më të epërm të lumturisë, gjithë bota lundronte në dashurinë dhe lumturinë time. Ti po vije.
Kur mjeku më tha që gjurmët e hormoneve tregonin se diçka fare e vockël, një dritëz, një thërrmijëz molekule, po gjallonte brenda meje, ti nuk e imagjinon dot, zemra ime, dhe unë s’kam fjalë të ta përshkruaj emocionin, ngazëllimin, drithërimat që ndjeva, sepse ti sapo kishe buluar, si një filiz, si një syth pranvere…
- Por… (Ah, ngaherë ka një por!) kujdes,- tha mjeku, - se përqindja e hormoneve nuk është shumë e lartë dhe ndodh… Jo, jo, jo, jo… nuk ka mundësi! Jo, jo, jo, JO! Unë do të të mbaja brenda meje, ti s’kishe si të zhdukeshe ashtu, krejt papritmas, të shuheshe, sikur të mos kishe qenë kurrë ndonjëherë… Unë do të të shtrëngoja fort, dhe oh, sa kam folur me ty ato dy ditë të bekuara. Të lutesha të vazhdoje udhën tënde, atë udhë që të shpinte drejt meje, të tregoja përralla, të recitoja vjersha, të përkëdhelja pa fund, qëndroja shtrirë në shtrat dhe të lutesha, sërish të lutesha të mos më lije krahëprerë, pas gjithë fantazive që kishim thurur të dy (ja) tok, ti nuk mund të ktheheshe në fantazmë, në hiç, në asgjë… një shajni….
Vetëm dy ditë më pas, do të kaloja në anën tjetër të murit. Jo, nuk do të kaloja, do të përplasesha, do të zhytesha ( t’ia vë fajin fatit?) në trishtimin më të thellë, në dëshpërimin më rrëgjues që mund të pllakosë mbi një grua… Ti nuk ishe më… Ti nuk ishe më as gjurmë në gjakun tim… Ti ishe kthyer prej andej nga unë mendoja se kishe mbirë,, në zbrazëti ose në një botë shumë më të bukur se kjo, ku doja të të sillja unë… ( Mos vallë duhet të të kërkoj në Kurrkund?) Ti ishe një firomë në një ditë të akullt dimri, që davaritet sakaq… një mjegull e lehtë pranverore, që duket e s’duket para se të bjerë vesa e mëngjesit…. ti ishe dhe s’ishe… Kishe qenë dhe s’kishe qenë… Kishe qenë dhe s’do të ishe më, apo s’kishe qenë fare dhe fantazia ime e çakërdisur i kishte sajuar e stisur të gjitha sikur të kishin qenë krejt të njëmendta? Mos jam e marrë, vallë?
Po ndalem këtu, foshnja ime, se që kur ike ti, dhe unë jam e s’jam…As ai që duhej të qe babai yt s’është më…Dhe ditët e mi kalojnë njësoj, gri, ku gri me shkëlqim, ku gri e përhimtë, ku gri e zymtë rrebeshi…
Nuk dua të të rrëfej trishtimin dhe lotët e mi, është e kotë, ti vetminë time e njeh mirë, sepse ynë flas me ty çdo ditë, unë doja vetëm të të rrëfeja, të ta shkruaja të zezë mbi të bardhë lumturinë time, ndërkohë që të prisja ty, se mos kushedi… kjo botë dhe kjo dashuri do të të duket aq e bukur dhe, ndonjë ditë, do të të mbushet mendja të vish e të rrish përgjithnjë, biri im i shtrenjtë
.
Ah, dhe diçka të fundit, mbase do të kënaqesh kur ta lexosh. Në ballkon po çel zambaku i kuq, ka lidhur gonxhet, janë plot gjashtë gonxhe që rriten dita-ditës dhe unë e di, ti je aty dhe vjen më viziton çdo pranverë, sepse pranverë qe dhe atëherë, kur ti ishe dhe s’ishe… Sidoqoftë, po vij të të bëj pak shoqëri, më prit sa të marr një cigare…
Me dashuri,
M…. J
P.S. Në krye të letrës të thosha që doja të të hiqja nga mendja,doja të çlirohesha prej teje, por tani po e kuptoj që zakoni i të menduarit për ty po më kthehet në një makth shkrimi… Druaj se do të të mbys me letra thuajse përditë, përveç teje nuk kam me kë i ndaj tjetër endjet e rravgimet e mia për ty, krijesa ime e pakryer… J

6komente
Burimi RSS i komenteve të këtij artikulli
Trackback
http://edrus.shqipo.com/2009/06/05/leter-femijes-se-pangjizur-kurre/trackback/
6 Qershor 2009 më 9:26 pm
liriashqiptare
Sa me ke lenduar me kete histori!
Mos i lesho shpresat,njoh raste qe ja kane dale dhe mabs shume vitesh.
7 Qershor 2009 më 7:35 pm
diana
uau.. te rrenqeth e te ther ne shpirt… i uroj gjithe te mirat kesaj Femre Nene dhe te mos i humbe shpresat!
8 Qershor 2009 më 8:00 pm
ardi stefa
shumë e bukur dhe rrënqethëse, sidomos për ata që e kanë kaluar një përvojë të tillë…
9 Qershor 2009 më 12:36 pm
tangopasion
Nje njeri me kaq shume dashuri per te ofruar, eshte gjynah te mendoje qe e vetmja menyre eshte te kete femije te vetin. Ka kaq shume femije qe kane nevoje per dashuri.
18 Qershor 2009 më 9:40 am
Ana H.
Hej, tango, te siguroj qe nuk e ka aspak te veshtire t’ia fale dashurine edhe nje krijese qe s’ka dale nga barku i saj. Dhe ndoshta nje dite, ka per ta bere ate qe thua ti.
18 Qershor 2009 më 5:30 pm
mati